Friday, October 5, 2012

Butësia dhe qetësia

 Allahu e ka cilësuar Profetin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), si njeri me moral të lartë: “Vërtet ti je në një shkallë të lartë morali.” El Kalem: 4.
E ka përshkruar atë si njeri të butë dhe dashamirës: “E ti ishe i butë ndaj tyre, sepse Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë ata do të iknin larg prej teje … Ali Imran: 159.
E ka përshkruar të mëshirshëm ndaj besimtarëve dhe të dashur me ta: “Juve ju erdhi i Dërguari nga lloji juaj; atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” Teube: 128.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar dhe ka nxitur për butësi dhe dashamirësi duke thënë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni.” (Buhariu 69 dhe Muslimi 1734 nga Enesi). Gjithashtu ka transmetuar Muslimi (1732) nga ebu Musa el Eshari me tekst: “Përgëzoni dhe mos largoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni.” Ndërsa Buhariu në librin e tij të haditheve të vërteta, ka nxjerrë një hadith (220) nga ebu Hurejre ku Profeti (salallahu alejhi ue selem) u ka thënë shokëve të tij kur një beduin urinoi në xhami: “Lereni atë të qetë, ndërsa urinës së tij hidhini një kovë ujë, sepse ju jeni dërguar lehtësues e jo vështirësues.”
Gjithashtu Buhariu në hadithin nr. 6927 transmeton nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ka thënë asaj: “O Aishe, Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” Ndërsa Muslimi (2593) e ka nxjerrë me këtë tekst: “O Aishe, Allahu është i Butë dhe jep për të (butësinë) atë që s’e jep për ashpërsinë, si dhe për asgjë tjetër.”
Po ashtu Muslimi ka nxjerrë në librin e tij të haditheve të vërteta (2594) nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Butësia zbukuron çdo gjë në të cilën ndodhet, e ajo nuk hiqet prej diçkaje e të mos e shëmtojë atë.”
Po tek Muslimi (2592) transmetohet nga Xherir ibn Abdullah se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kujt nuk i është dhënë butësia i është ndaluar mirësia.”
Allahu ka urdhëruar profetët e nderuar Musa dhe Harun të thërrisnin Faraonin me qetësi dhe butësi kur thotë: “Shkoni ju të dy tek Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar; atij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai përkujton ose frikësohet.” Ta Ha: 43-44.
Allahu i ka përshkruar sahabët e nderuar si të mëshirshëm me njëri-tjetrin kur thotë: “Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e ata që janë me të janë të ashpër kundër mosbesimtarëve dhe të mëshirshëm ndërmjet veti …” El Fet’h: 29